Turqia, mbështetje maksimale për FA 


Turqia, mbështetje maksimale për FA 

11:10 26/01/2018

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë dyditore në Ankara, me ftesë të homologut të saj, ministrit të Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, Nurettin Canikli.

Ministri Canikli e priti zonjën Xhaçka me truprojë nderi dhe ceremoni ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë.

Në takimin e ministres Xhaçka me homologun e saj turk, veç marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve, u diskutua edhe për bashkëpunim dypalësh në industrinë ushtarake dhe të mbrojtjes.

Ministrja Xhaçka e falenderoi homologun e saj turk për ndihmën dhe mbështetjen e Turqisë për Forcat e Armatosura Shqiptare, kryesisht sa i përket modernizimit, arsimimit ushtarak, kujdesit shëndetësor, por edhe stërvitjeve.

Pas takimit me ministrin Canikli, zonja Xhaçka vlerësoi klimën e mirë të bisedimeve me homologun e saj turk, i cili ofroi gatishmërinë e të plotë të vendit të tij për mbështetjen e mëtejshme të Forcave tona të Armatosura.

“Diskutuam lidhur me bashkëpunimin aktual ushtarak për trajnim, arsimimin e përbashkët. U dakordësuam për mundësitë e shumta, të cilat do eksplorojmë dhe mora mbështetjen maksimale nga kolegu im Canikli për plotësimin e çdo kërkese nga Shqipëria. Edhe për modernizimin e FA gjeta mbështetjen maksimale për çdo projekt, i cili do të gjykohet i nevojshëm për t’u zhvilluar . Me homologun turk pata veçse dakordësi për të zhvilluar kapacitet ushtarake. Trajtimi mjekësor i personelit ushtarak në Turqi do të vazhdojë dhe do të shtohet për të plotësuar të gjitha nevojat shëndetësore mjekësore, të cilat nuk i përmbushim dot në Tiranë”,

 u shpreh ministrja Xhaçka, e cila takoi edhe studentët shqiptarë që studiojnë në akademitë ushtarake turke. Zonja Xhaçka u uroi suksese studentëve shqiptarë dhe u shprehu atyre rolin dhe rëndësinë e tyre brenda Forcave të Armatosura, sapo ata të përfundojnë studimet.

"U konfirmova studentëve tanë që shkollohen në akademitë ushtarake turke që, do të vazhdojnë të jenë ndër shembujt e mirë të disiplinës dhe profesionalizmit dhe presim prej tyre që të vijnë dhe të bëhen pjesë solide e piramidës sonë ushtarake",  

tha Xhaçka.

Në vijim të vizitës së saj, ministrja Xhaçka vizitoi disa fabrika të industrisë ushtarake dhe u njoh nga afër me mjetet, pajisjet dhe armatimet që prodhohen aty.

Gjithashtu ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë u prit në takime të veçanta nga ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura turke, gjeneral me katër yje Hulusi Akar.

Në takimet me zyrtarët e lartë turq, ministrja Xhaçka diskutoi për çështjet e interesit të përbashkët në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Pjesë e vizitës zyrtare të ministres Xhaçka, ishin edhe homazhet dhe vendosja e një kurore me lule në Anıtkabir, Mauzoleun e Mustafa Kemal Atatürk.

/tvklan.al






Të ngjashme