Turqia paralajmëron Ministrin grek Kammenos: Mblidh mendtë e kokës!


Turqia paralajmëron Ministrin grek Kammenos: Mblidh mendtë e kokës!

12:59 02/02/2017

Ministri turk i Punëve të Jashtme i është drejtuar me një retorike të ashpër Ministrit grek të Mbrojtjes, teksa tensionet mes dy shteteve fqinje lidhur me dy ishuj të vegjël e të pabanuar në Egje vazhdojnë të mbeten lart.

 “Ministri (Grek) i Mbrojtjes të mbledhë mendtë e kokës!,” tha Mevlut Cavusoglu duke iu drejtuar ministrit Panos Kammenos.

 “Ky ministër vazhdimisht kryen provokime”, tha Cavusoglu, i cituar nga “Hurriyet”. “E kam fjalën për partnerin në qeverisje të Ciprasit, i cili është në të njëjtën kohë edhe Ministër i Mbrojtjes i Greqisë.”

 Ministri turk tha se Kammenos prej kohësh bën provokime ndaj Turqisë. “Shumicën e këtyre nuk i vendosim fare në agjendë. Mirëpo, Greqia po precipiton situatën duke përfituar nga çështja e Karadakut. Ministri i Mbrojtjes të mbledhë mendtë e kokës!”

 “Greqia nuk duhet të përfitojë nga sjellja jonë e mirë. Ne dimë të japim edhe përgjigjen që meritojnë. Sjellja e këtij ministri nuk është e re. Këto sjellje i’a kemi bërë të ditur edhe Ciprasit,” tha Cavusoglu.

 “Dy shtetet duhet t’i zgjidhin çështjet e diskutueshme duke biseduar, duhet të jemi të matur. Në rast se gjendja precipiton, mos e thëntë Zoti, nëse ndodh ndonjë incident i padëshiruar, nuk ka kthim pas. Ne po veprojmë me një pjekuri të madhe. Edhe ministri grek duhet të veprojë me pjekuri.” shtoi ai.  

 Komentet e Cavusoglusë vijnë pasi Ministri Grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, fluturoi mbi zonën e diskutuar mes dy vendeve ditën e Mërkurë dhe hodhi disa kurora me lule nga helikopteri në det, në vendin ku në vitin 1996 u vranë tre ushtarë grekë.

kamenos

Ndërkohë, Kreu i Forcave të Armatosura turke Hulusi Akar po ashtu vizitoi ishujt me 29 Janar, lëvizje që u dënua nga Athina zyrtare.

Luftanijet e dy vendeve janë vënë disa herë ballë për ballë në afërsi të ishujve të kontestuar dhe situata vazhdon të jetë e tensionuar.

Në 1996-ën Turqia dhe Greqia u përplasën në atë që njihet si Kriza e Karadakut. Të dy shtetet zbarkuan ushtarë në dy ishujt e pabanuar dhe për pak u shmang një përplasje frontale mes dy ushtrive.

Dy ishujt e vegjël shkëmborë të Imias apo Karadakut ndodhen në Detin Egje mes vargut të ishujve grekë Dodecanese dhe brigjeve jugperëndimore të territorit turk./tvklan.al

 





Të ngjashme