Turqia “pastron” burgjet për të bërë vend për puçistët
Autoritetet turke firmosën lirimin e 38 mijë të burgosurve, të cilët ishin dënuar përpara tentativës së dështuar për grusht shteti. Sipas mediave vendase, ky vendim u mor për të liruar hapësirat në burgjet e tejmbushura dhe për të liruar hapësirë pas valës së arrestimeve masive ndaj të dyshuarve si puçistë.
Gjithësesi ministri turk i drejtësisë, mohoi se lirimi i të burgosurve është i lidhur me grushtin e dështuar të shtetit. Ai tha se nuk bëhet fjalë për amnisti, por për lirime me kusht ndaj personave që e kanë kryer më shumë se gjysmën e dënimit. Vendimi përjashton krimet e rënda si vrasja, abuzimi seksual apo krimet kundër shtetit. Numri i të burgosurve në Turqi është trefishuar që prej vitit 2002, kur Presidenti Rexhep Taip Erdoan, erdhi në pushtet.
Rreth 35 mijë persona janë arrestuar që prej 15 Korrikut, kur një grup brenda ushtrisë turke ndërmori një tentativë për rrëzimin e Erdoan. Më shumë se 17 mijë prej tyre, po përndiqen penalisht dhe akuzohen se kanë lidhje me të akuzuarin nga shteti si ideatori i grushtit, imamin Fetullah Gylen.
Të martën, prokuroria turke kërkoi dënimin me dy burgime të përjetshme dhe plot 1900 vite burg për imamin 75-vjeçar.
Tv Klan