Turqia përuron aeroportin më të madh në botë
Stambolli do të ketë një tjetër aeroport veç atij “Ataturk” dhe “Sabiha Gokçen”. Me rastin e 95-vjetorit të Republikës turke, presidenti Rexhep Taip Erdoan përuroi hapjen e “Aeroportit të Stambollit”, një vepër madhore që pas përfundimit të plotë, sipas mediave turke, pritet të jetë aeroporti më i madh në botë.
Në ceremoninë hapëse ishte i ftuar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe disa nga krerët më të lartë të shteteve. Në fjalën e tij, Presidenti turk Erdogan tha se kjo vepër i përket të gjithë rajonit dhe mbarë botës.
“Aeroportin e Stambollit e shohim si një shërbim të madh që kemi bërë jo vetëm për vendin tonë. Turqia është e vendosur që të bëhet një ndër dhjetë ekonomitë më të mëdha të botës, simbol i paqes, qetësisë e sigurisë.”
Aeroporti i Stambollit ka një sipërfaqe prej 76.5 milionë metra katrorë dhe për çeljen e fazës së parë janë shpenzuar 6 miliard euro. Pas përfundimit të punimeve, aeroporti do të ketë 6 pista me një kapacitet prej 500 avionësh dhe pritet t’u shërbejë 200 milionë pasagjerëve në vit. Faza e dytë dhe përfundimtare, pritet të përfundojë në vitin 2023.
Tv Klan