Turqia “pushton” me tanke veriun e Sirisë
Ushtria turke ka ndërmarrë një operacion ushtarak mëngjesin e sotëm, në very të Sirisë. Dhjetëra tanke dhe mjete të rënda ushtarake turke marshuan përtej kufirit në territorin sirian, një ditë pas bombardimeve të pozicioneve të ISIS. Mediat në Turqi raportojnë se janë shkatërruar mbi 70 shënjestra të terroristëve në qytetin Jarablus.
Në një deklaratë zyrtare, Presidenti Erdogan njoftoi se operacioni kishte në shënjestër Shtetin Islamik dhe militantët kurdë, në veri të Sirisë. Shqetësimi kryesor i Ankarasë, siç raportoi të martën edhe Kryeministri Jëlldërrëm është se kurdët mund të përfitojnë nga kapitullimi i xhihadistëve pranë kufirit turko-sirian e mund të krijojnë një bashkësi autonome.
Ndërkohë në Turqi mbërriti të mërkurën për një vizitë zyrtare, zv/Presidenti amerikan, Joe Biden, me qëllim sheshimin e mosmarrëveshjeve të krijuara, pas kërkesës së Ankarasë për ekstradimin e imamit turk me banim në SHBA, Fetullah Gylen. Erdogan tha për mediat se do t’i kërkojë sërish zv/Presidentit Biden dorëzimin e Gylen.
Tv Klan