Turqia tarifa të rënda importi për prodhimet nga SHBA


Turqia tarifa të rënda importi për prodhimet nga SHBA

19:15 15/08/2018

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan nënshkroi vendosjen e tarifave të larta për importin e disa prodhimeve amerikane. Masë është një hakmarrje për efektin negativ në ekonominë turke që shkaktoi vendosja javën e kaluar nga presidenti amerikan Donald Trump e tarifave të larta të importit për çelikun dhe aluminin turk.

Dekreti i presidentit Erdogan rrit me 120% tarifat doganore për automjetet amerikane, 140% për pijet alkolike e 60% për duhanin. Rritje tarifash importi edhe për produktet kozmetike, orizin dhe qymyrin amerikan. Masat prekin produkte importi me vlerë 533 milionë dollarë.

Por pas disa javësh rënie të theksuar, lira turke vijoi forcimin e vlerës së saj të mërkurën me 6%. Krahas vendimit të bankës qendrore turke për mbulimin me likuiditet të bankave të nivelit të dytë, faktori që ndikoi në forcimin e lirës ishte edhe optimizmi i përhapur në tregje nga përmirësimi i marrëdhënieve mes Turqisë dhe Bashkimit Europian pas lirimit të dy ushtarëve grekë.

Ndërsa me Uashingtonin marrëdhëniet u përkeqësuan edhe më tej pas vendimit të Gjykatës së Izmirit për të hequr masën e arrestit të shtëpisë për priftin Andrew Branson, pas apelimit të vendimit nga avokatët e këtij të fundit. Branson është shndërruar në mollë sherri mes dy vendeve pasi Turqia e akuzon atë si bashkëpunëtor në grushtin e dështuar të shtetit të Korrikut 2016.

Tv Klan






Të ngjashme