Turqi/Autobombë ndaj komisariatit të policisë. Vriten 11 policë, mbi 70 të plagosur
Turqi – Të paktën 11 persona mbetën të vrarë dhe 78 tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit të një autobombe, pranë një komisariati policie në qytetin Cizre, në juglindje të Turqisë. Viktimat janë të gjithë oficerë policie ndërsa disa prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë.
Shpërthimi i fuqishëm ndodhi në orët e para të mëngjesit, duke shaktërruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së qytetit.
Kryeministri turk Binali Yildirim, fajësoi militantët kurdë të PKK-së për sulmin. Kreu i qeverisë tha se “asnjë grup terrorist nuk mund të marrë peng Turqinë” dhe se “atentatorët frikacakë do të marrin përgjigjen e merituar”.
Qyteti i Cizres, pranë kufirit me Sirinë, është bërë shpeshherë fushëbetejë mes ushtrisë turke dhe separatistëve kurdë.
Turqia ndërmorri ditët e fundit një fushatë bombardimesh, nga ana tjetër e kufirit, në veri të Sirisë, duke goditur pozicionet e terroristëve të Shtetit Islamik dhe bazat e kurdëve.
Tv Klan