TV Klan merr licencën kombëtare – (14 Nëntor 2000)


TV Klan merr licencën kombëtare – (14 Nëntor 2000)

20:42 14/11/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

TV Klan dhe TV Arbëria, që sot janë dy televizione private kombëtare, po ashtu edhe Top Albania Radio, mori licencë kombëtare. Për Drejtorin e Përgjithshëm të TV Klan, Aleksandër Frangaj, ky licencim nuk ishte i papritur. Investimet e bëra, shtrirja e transmetimeve në pjesën më të madhe të vendit, deri në Kosovë. Prodhimi i programeve nga vetë televizioni ynë, blerja e së drejtës të transmetimit të ndeshjeve të CHL dhe kampionatit italian, shërbimi i agjencisë Reuters, janë disa nga faktorët, që e renditën TV Klan në krye të listës. Pas këtij licencimi të tjera investime janë në prag.

Aleksandër Frangaj:- “Marrja e kësaj licence, na jep dorë të vazhdojmë këto investime, na jep mundësinë të zgjerojmë qoftë programet, qoftë blerjet dhe të konkretizojmë marrëveshjen më të fundit, që është marrëveshja për të transmetuar në satelit. Pra që programet e televizionit tonë, të mos kenë mundësinë vetëm teleshikuesit e territorit të Shqipërisë, por të kenë mundësi të na ndjekin në transmetim 24 orë në të gjithë Europën dhe Amerikën”.

Ndërsa për televizionin tjetër të licencuar sot, Tele Arbërin, zoti Frangaj vëren:

Aleksandër Frangaj:- “Vlerësimi që i ka bërë Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit, jo vetëm TV Klan, por edhe gjithë licencave të tjera, që ka dhënë ka qenë mjaft objektiv. Licenca e dytë kombëtare që iu dha TV Arbërisë është mjaft e saktë. Ai është televizioni që ne e kemi ndjerë si konkurrent. Në listën e televizioneve që konkurronin, nuk kishte një më të mirë sesa TV Arbëria. Pra edhe ajo e ka marrë licencën me meritë, sikurse dhe radio e vetme kombëtare, Top Albania Radio. Them që jo vetëm opinioni im, por i gjithë teleshikuesve apo radio dëgjuesve në Shqipëri është që TV Klan, TVA dhe Top Albania Rdio, janë tre më të mirët”.

Ndërsa TV Ballkan, ATN1, Alba TV, Telenorba Shqiptare, Shijak TV, Kukës TV, Real TV dhe Vizion TV, Këshilli Kombëtar i Radio Televizioneve, dha licencë për transmetim televiziv lokal./tvklan.al






Të ngjashme