TV Klan në të gjithë Shqipërinë (20 Janar 1999)
Televizioni Klan më pranë Televizionit Kombëtar. Tashmë Televizioni Klan dita- ditës po i afrohet kufijve të një televizioni kombëtar privat. Është i pari dhe i vetmi televizion privat që po thyen monopolin e sinjalit kombëtar të Televizionit Shtetëror.
Pas transmetimit qëndror nga Dajti që mbulon Tiranën, Durrësin, Kavajën, Rrogozhinën dhe Fierin, pak ditë më parë TV Klan ka nisur ofensivën e mbulimit me sinjal televiziv të të gjithë Republikës. Ishte Lushnja pika e dytë ku TV Klan vendosi përsëritës.
Sot frekuenca e TV Klan ka pushtuar edhe Vlorën me vendosjen e një transmetuesi në kodrën e Zvërnecit. Nesër e ka radhën Veriu. Pas mbulimit me sinjal të Krujës, Fushë Krujës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shëngjinit e deri afër Shkodrës, projekti i TV Klan parashikon që brenda 15 ditorit të parë të shkurtit të zbresë deri në jug të Shqipërisë.
Synimi i TV Klan është që brenda 6 mujorit të parë të këtij viti të ketë mbuluar gjithë territorin e Shqipërisë përfshi Ohrin, Strugën dhe disa zona të Kosovës./tvklan.al
Gazetare : Mirela Milori