Tv Klan rindërton skemën 3D të grabitjes së bankës në ish – Bllok


Tv Klan rindërton skemën 3D të grabitjes së bankës në ish – Bllok

15:55 12/08/2016

Bazuar mbi versionin paraprak të grupit hetimor, Televizioni Klan sjell të rindërtuar grafikisht, nëpërmjet skemës 3D, se si dy autorët arritën të kryenin grabitjen e bankës në zonën e ish - Bllokut, pak ditë më parë.

Ata dyshohet se fillimisht kanë ndërruar fishekun e derës së ish pub -it në bodrum dhe që aty kanë hyrë brenda.

Autorët fillimisht kanë tentuar ta hapin murin në fund të ish pub -it, por duke hasur në beton, ata janë zhvendosur në magazinën e bodrumit, ku ndodhet muri ndarës me dhomën kasafortë të bankës.

Gjatë punës me çekiç, daltë dhe kriko për hapjen e murit ndarës, sensori sizmik i instaluar në dhomën kasafortë ka identifikuar rreth orës 20:15 të datës 5 Korrik, tentativën e parë për çarjen e murit dhe ka aktivizuar alarmin që ka sinjalizuar në telefon Drejtorin e bankës, Shefin e Sigurisë së bankës dhe tek shërbimi privat i sigurisë fizike.

Sipas hetuesve rezulton se, Drejtori i bankës dhe përgjegjësi i Sigurisë për filialin nuk kanë kontrolluar në brendësi të dhomës kasafortë, por thjeshtë kanë hapur derën kryesore të saj, duke vrojtuar nga jashtë dhe më pas janë larguar.

Mëngjesit e datës 6 Korrik, rreth orës 05:00, sensorët sizmikë kanë sinjalizuar për tentativën e dytë, për çarjen e murit, sinjalizim ky që është vlerësuar vetëm pas 5 orësh, në orën 10:00 të paradites, ku është bërë sërish kontroll në të njëjtën mënyrë dhe nuk është konstatuar gjë.

Sipas Prokurorisë, të shtunën më datë 6 Gusht dallohet nëpërmjet pamjeve filmike të kamerave të sigurisë se kanë vajtur tek dhoma kasafortë, Drejtori i bankës Luigj Gjonaj dhe Shefi i Sigurisë së kësaj banke Florjan Skarra, por nuk kanë konstatuar gjë.

grabitje-banka1

Mendohet se muri është hapur plotësisht, në përmasa 50 me 30 centimetra për të hyrë lirisht një person, të shtunën në darkë.

Sipas hetuesve, veprimin përfundimtar autorët e kanë kryer për rreth 6 minuta, mbrëmjen e datës 06 Gusht, ku kanë hyrë në orën 23:13 minuta dhe kanë dalë në orën 23:19.

Njëri prej autorëve ka hyrë brenda ambienteve të dhomës kasafortë të bankës dhe ka marrë nëpër raftet metalike shumën e rreth 190 milionë lekëve të vjetra dhe janë larguar.

Tv Klan





Të ngjashme