U akuzua se ndihmoi në fitoren e Trump, Zuckerberg: Ja e vërteta
Themeluesi dhe drejtuesi ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckerberg ka hedhur poshtë kritikat se lajmet e rreme që u shfaqen në median sociale ndikuan tek rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Nga mënyra sesi funksionon, Facebook-u nuk dallon dot mes lajmeve të vërteta dhe atyre të rreme, kur ato postohen.
“Personalisht mendoj se ideja që lajmet e rreme në Facebook, të cilat gjithësesi janë një pjesë e vogël e përmbajtjes, kanë ndikuar zgjedhjet është një ide mjaft e çmendur” tha Mark Zuckerberg gjatë një konference për teknologjinë që u mbajt në Kaliforni.
“Votuesit i marrin vendimet bazuar në përvojën e jetës”-tha ai.
Zuckerberg jo vetëm doli në mbrojtje të kompanisë së tij, por nënvizoi se gjithkush mund të analizojë të dhëna në Facebook për të parë mbështetjen e gjerë që Donald Trump mori nga i gjithë vendi.
“Nuk është surprizë apo lajm që Donald Trump ka më shumë ndjekës në Facebook sesa Hillary Clinton. Mendoj se disa prej postimeve të tij morën më shumë vëmendje”-tha themeluesi i FB.
Zuckerberg qëndroi fort në mbrojtje të pozicionit të paanshëm të kompanisë së tij duke u shprehur se Donald Trump i fitoi zgjedhjet sepse pati mbështetjen e më shumë se gjysmës së Shteteve të Bashkuara./ tvklan.al