
U hodh në lumë për t’i shpëtuar policisë, gjendet i mbytur i riu shqiptar
Polumbarët në qytezën e “Città di Castello”, në Itali, kanë nxjerrë nga lumi Tiber trupin e pajetë të një të riu shqiptar.
I riu 20-vjeçar, Diljon D. ishte hedhur në lum ditë më parë, gjatë një tentative për t’i shpëtuar policisë pasi po ndiqej për një vjedhje të kryer në qytet. I riu shqiptar është gjetur disa kilometra larg vendit ku u hodh me bashkëpunëtorin e tij maroken, gjatë arratisjes nga policia.
Trupi i pajetë u dërgua në Peruxhia për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Ekspertët duhet të zbulojnë shkaqet e vdekjes së 20-vjeçarit. Diljoni nuk kishte shkuar në shtëpi prej dy ditësh dhe të dielën, prindërit e tij e denoncojnë zhdukjen në polici. Ata paraqiten aty së bashku me familjen e shokut të viktimës.
Marokeni kishte thënë përpara policisë se ishte autori i vjedhjes së dyqanit së bashku me shqiptarin. Shuma e sendeve të vjedhura shkonte tek rreth 150 euro dhe pas ndjekjes nga policia, ata ishin hedhur në lumë. /tvklan.al