U ndërtua 9 muaj më parë, shiu “shpërbën” rrugën


U ndërtua 9 muaj më parë, shiu “shpërbën” rrugën

18:09 09/01/2021

Rruga që lidh fshatin Rud të Malishevës me fshatin Sferkë të Klinës, është dëmtuar e tëra. Komuna e Malishevës, me anë të një njoftimi për mediat në Kosovë tha se shkak ishin bërë reshjet e shiut.

“Rruga është këputur dhe asfalti është larguar në tërësi. Luten të gjithë ata që mendojnë të kalojnë nëpër atë rrugë, të mos udhëtojnë në atë pjesë, por të shfrytëzojnë rrugët tjera”, thuhej në njoftim.

Zyrtarë të kësaj komune për Klan Kosovën thane se rruga në fjalë ishte ndërtuar rreth 9 muaj më parë, në Prill të 2020-s, nga Ministria e Infrastrukturës. Ata thanë se do të kërkonin shpjegim nga ky dikaster për të mësuar detaje të tjera rreth punimeve të cilat janë kryer në këtë segment.

Por në reagimin e saj, Ministria e Infrastrukturës tha se ata kishin marrë përsipër vetëm financimin e saj dhe se mbikëqyrja e procedurat e prokurimit i takonin komunës së Klinës, duke qenë se kontrata bazë e këtij projekti ishte në Klinë.

”Nga ne është kryer investimi. Mbikëqyrjen e ka pasur komuna. Mbikëqyrjen e ka pasur vetë komuna te veten. A ka pasur kompani kontraktuese mbikëqyrëse, ne nuk e dimë por prokurimin e kanë pasur komuna, projekti është dorëzuar në 2020 është kryer nga ne”, tha në një reagim po për Klan Kosovën, Ministria e Infrastrukturës./tvklan.al






Të ngjashme