U vra nga grabitësit, Vrenozi shpallet “Qytetar Nderi”
Bashkia e Fierit e ka nderuar Agur Vrenozin me titullin “Qytetar Nderi”. Ky vlerësim pas vdekjes për babain e katër fëmijëve vjen pas Dekoratës së Artë të Shqiponjës, të dhënë më parë nga Presidenti Ilir Meta.
“Vrenozit i jepet titulli për aktin e tij vetëmohues në mbrojtje të jetës së bashkëqytetarëve, për veprimin heroik e sublim, frymëzues për mbarë shoqërinë për të reaguar në përballjen me dhunën, krimin e rrezikun për jetën”.
54-vjeçari Agur Vrenozi mbeti i vrarë gjatë grabitjes së ndodhur të premten e 2 Marsit. Ai u qëllua me një plumb në kokë nga Lulëzim Demiraj, teksa po tentonte që t’i pengonte 3 grabitësit që të merrnin paratë në pikën e këmbimit valutor të mikut të tij, Gëzim Hoxha.
Vrenozi ndërroi jetë një ditë më pas, ndërsa autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë ndodhen në burg.
/tvklan.al