UÇK-ja policia e ardhshme e Kosovës (5 Qershor 1999)
Tani që marrëveshja e paqes për Kosovën është pranuar nga Beogradi një nga pikat më të nxehta mbetet ajo e ndalimit të gjitha veprimtarive ushtarake atje. Sipas burimeve të Diplomacisë Amerikane pas legalizimit në procesin e Rambujesë, UÇK-ja tani ka marrë formën e një ushtrie fitimtare dhe jo më atë të njësiteve guerile. Sipas zëdhënësit të NATO-s Xhejmi Shi, prioritare në këto momente është që UÇK-ja të mos ndërhyrjë në tërheqjen e trupave serbe nga Kosova.
Tani nuk flitet më për çarmatimin e UÇK-së por për çmilitarizimin e saj që do të thotë shndërrimin e UÇK-së në një lloj policie. Por kjo ende është e papranueshme për palën serbe. Liderët e UÇK-së thonë që është më mirë të presim për të parë nëse Beogradi është gati të zbatojë në realitet atë që ka premtuar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes. Ndërkohë ata nuk njohin sovranitetin e Jugosllavisë mbi Kosovën./tvklan.al