UEFA gjobit 23.250 Euro Federatën Shqiptare
U vërshëllye himni francez dhe u hodhën sende në fushë
Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur me 23 mijë e 250 Euro nga Komisioni i Disiplinës të UEFA-s, për shkak të vërshëllimave të tifozëve kuqezinj, gjatë ekzekutimit të himnit të Francës, si dhe për hedhjen e sendeve në fushë në ndeshjen të zhvilluar në “Air Albania”.
UEFA ka detajuar gjobën. 5 mijë Euro janë vendosur për vërshëllimën ndaj himnit francez, ndërsa 18 mijë e 250 Euro për hedhjen e sendeve në fushë si dhe për mangësi në elementet e sigurisë.
Delegati i UEFA-s në stadium ka vënë re se disa dyer që kishin akses në fushë nuk mbylleshin, dhe kjo përbente rrezikun e depërtimit të tifozëve apo personave të paautorizuar në fushën e blertë gjatë zhvillimit të ndeshjes.
Federata Shqiptare e Futbollit duhet të paguajë gjobën prej 23 mijë e 250 Euro brenda 90 ditëve.
Disa muaj më parë, Federata Franceze u gjobit me 20 mijë Euro për arsye se në ndeshjen me Kombëtaren kuqezi, ngatërroi Himnin Shqiptar.
Vetë Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i kërkoi ndjesë Kryeministrit shqiptar Edi Rama për ngatërrimin e himnin tonë me atë të Andorrës.
Tv Klan