Ujësjellësi Bovilla – (9 Mars 1999)


Ujësjellësi Bovilla – (9 Mars 1999)

22:40 09/03/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Ëndrra Bovillë dalëngadalë do të bëhet realitet. Fundi i muajit që shkoi vuri në funksionim edhe linjën e dytë të ujësjellësit të Bovillës, kryesisht impjanti i pastrimit. Ndërkohë që mbeten edhe tre linja të tjera që nuk janë vënë në përdorim. Me këtë linjë të dytë është përfituar edhe 600 litra të tjerë në sekondë, duke arritur prurjet 1200 litra të cilat mbulojnë depon e Kinostudios dhe rrugën “5 Maji”.

Në linjën e tretë që është në proces, mbetet lagjia “Siri Kodra” dhe Unaza e Tiranës. Por a përballon ujësjellësi prurjet e shumta? Arben Zajmi, drejtor i veprës Bovillë shpjegon.

Arben Zajmi:- “Fakti është që rrjeti ekzistues i ujësjellësit është tepër i amortizuar, por duke u manovruar pak me presionet dhe shpërndarjen e një trajtshme e prurjeve në të gjithë rrjetin e tij, themi se mund ta përballoj këtë prurje shtesë. Uji që del nga impjanti që shkon tek konsumatori është i një cilësie shumë të mirë”.

Megjithëse rrjeti është i amortizuar duhet ta përballoj sepse Brenda verës 1800 litra të tjerë do të shtohen./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti   






Të ngjashme