Uji i ndotur në fshatrat e Fierit, banorët rrezikohen nga epidemitë – (23 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Prej mëse dy javësh, në çezmat e katër fshatrave dhe një lagje periferike të qytetit të Fierit, rrjedh ujë i ndotur. Në këto qendra banimi jetojnë rreth 10 mijë banorë. Ndotja e ujit ka ndodhur si shkak i përzierjes së tubacioneve të ujit të pijshëm me atë të ujërave të zeza. Sipas banorëve, uji mbart edhe helme të cilat kanë ardhur nga shkatërrimi i një magazine, që dikur mbarte pesticide për bujqësinë.
Poshtë këtij kanali 500 metra të gjatë, kalojnë edhe tubacionet e ujit të pijshëm, i cili në shumë segmente është i amortizuar, duke bërë të mundur përzierjen e ujërave. Për t’i shpëtuar epidemive, banorët e këtyre zonave, marrin rrugën për në qytet për të mbushur ujë. Ndërkohë bashkia thotë, se ekziston një projekt për të përmirësuar rrjetin e ujësjellësit në këtë zonë, por afati se kur do të fillojë ky projekt ende nuk dihet./tvklan.al