“Ujqërit e vetmuar” të ISIS


“Ujqërit e vetmuar” të ISIS

15:52 25/07/2016

Sulmet e fundit terroriste që kanë goditur Europën janë kryer në dinamika të ndryshme. Janë ekzekutuar në mënyra të ndryshme dhe me armë të ndryshme, por kanë të gjitha një element të përbashkët, janë kryer nga një autor në çdo rast, apo siç njihen ndryshe nga shërbimet e sigurive ndërkombëtare si “ujqër të vetmuar”.

Një natyrë e tillë sulmi po nxitet gjithmonë e më shumë nga krerët e Shtetit Islamik. Abu Mohamed al-Adnani, zëdhënësi zyrtar i xhihadistëve, i cilësuar nga europianët si “ministri i atentateve” i ISIS, bën thirrje vazhdimisht se militantët e Shtetit Islamik duhet të sulmojnë të pabesët nga vendet ku ndodhen dhe të përdorin çdo lloj arme të mundshme.

Atentatet nga një “ujqërit e vetmuar” nisën që me masakrën e Orlandos, më 12 Qershor, ku terroristi i ISIS Omar Mateen, vrau 49 persona në një klub homoseksualësh.

2 ditë më pas, Larossi Aballa, një 25 – vjeçar i radikalizuar në militant të ISIS vrau 2 oficerë policie në banesën e tyre 35 kilometra nga Parisi.

Më 14 Korrik, ditën e Festës Kombëtare në Francë, Mohamed Lauezh Bulel, vrau me kamion 84 persona në “Shëtitoren e Anglezëve”. Sulmi u mor më pas përsipër nga Shteti Islamik.

4 ditë më pas, më 18 Korrik, një emigrant afgan 17 – vjeçar sulmoi me thikë 5 persona në një tren në Bavari, agresori u vra nga policia. Përmes një videoje të 17 – vjeçarit, ISIS mori përsipër atentatin.

Pavarësisht se nuk janë marrë përsipër nga organizata terroriste, edhe 2 sulmet e së dielës në Gjermani, janë të së njëjtës natyrë dhe të dyja të kryera nga azilkërkues të ardhur me valën e emigrantëve.

Tv Klan






Të ngjashme