Ujqërit rikthehen në Holandë pas 140 vitesh


Ujqërit rikthehen në Holandë pas 140 vitesh

18:48 09/04/2019

Për herë të parë pas 140 vitesh, në Holandë është vënë re prezenca e ujqërve. Kafshët e egra u larguan nga shumë vende evropiane për shkak të gjuetisë ndaj tyre më shumë se 1 shekull më parë. Për herë të parë, vëzhgimet janë bërë në vitin 2015. Por mendohej se këto kafshë kishin kaluar kufirin nga Gjermania dhe do të ktheheshin sërish pas.

Megjithatë, studiuesit thonë se kanë gjurmuar dy ujqër në territorin e Holandës. Studiuesit kanë konfirmuar për BBC Radio 4 se një ulkonjë ka qëndruar vazhdimisht për 6 muaj në Holandë. Një tjetër ujk mashkull është parë gjithashtu në zonë. Studiuesit thonë se po mbledhin të dhëna për një ulkonjë të dytë. Ujqërit mbrohen nga konventa e Bernës dhe mund të vriten vetëm në rrethana specifike. Studiuesi Roeland Vermeulen beson se në Holandë mund të formohen 22 kope ujqërish, të përbërë nga 5-8 prej tyre. Sipas tij, këto kafshë të egra kanë më shumë gjasa që të ushqehen me drerë apo derr të egër, dhe jo të sulmojnë bagëtitë.

Në Francë, sulmet e ujqërve ndaj deleve janë kthyer në problem për fermerët. Qeveria franceze ka vendosur t’i dëmshpërblejë fermerët që përballen me situata të tilla, por vetëm në rastet kur ata kanë zbatuar rregullat e vendosura, që të kenë gardhe elektrike apo qen roje.

/tvklan.al






Të ngjashme