Ulen infektimet e reja me Covid në Maqedoninë e Veriut


Ulen infektimet e reja me Covid në Maqedoninë e Veriut

17:54 10/10/2021

Brenda një jave 2303 raste të reja dhe 88 viktima

Në Maqedoninë e Veriut, gjatë kësaj jave, sipas autoriteteve të shëndetësisë janë ulur infektimet e reja dhe viktimat me COVID-19. Gjatë kësaj jave janë shënuar 2.303 raste të reja apo mesatarisht rreth 330 brenda një dite. Gjithashtu brenda javës janë shënuar edhe 88 viktima.

Sipas të dhënave të fundit të autoriteteve të shëndetësisë, në vend shënohen 6.967 raste aktive, më shumë në Shkup – 3.461, në Kumanovë – 629 dhe në Tetovë – 186.

Të dhënat e MSH-së tregojnë se 47% e qytetarëve mbi 18 vjeç kanë marrë një dozë të vaksinës, 44% me dy doza, kurse sipas numrit të vaksinave të aplikuara 38% e popullatës është e vaksinuar kurse 35% kanë marrë dy doza të vaksinave. Deri tani 782 qytetarë janë injektuar me dozën e tretë, kurse në nivel vendi janë aplikuar mbi 1.5 milionë vaksina.

Të premten është mbyllur pika e vaksinimit në sallën “Boris Trajkovski” kurse aktualisht funksionojnë shtatë poliklinika në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit në Shkup. Nga MSH-ja njoftuan se në dispozicion janë rreth 260.000 doza të “Pfizerit”, 45.000 të “Sinovac” dhe rreth 100.000 nga “AstraZeneca”.

Doza e tretë e vaksinës rekomandohet për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh moshën dhe nëse janë të sëmurë kronik. Duke ndjekur përvojat e vendeve evropiane dhe SHBA-së, Komiteti I Imunizimit rekomandoi dozë të tretë, jo vetëm për qytetarët mbi 60 vjeç dhe për punonjësit e shëndetësisë, por edhe për të tjerët që kanë kontakte të shpeshta në punë ose privatisht.

Klan Macedonia






Të ngjashme