“Unaza e mallkuar”
Ankohen 2 kompani, pezullohet nënkalimi i “Shqiponjës”
Një tjetër ankesë është depozituar në Komisionin e Prokurimit Publik lidhur me garën e fituesit në tenderin e lotit të parë të Unazës së Madhe.
Këtë të hënë ka qenë kompania Salillari që ka kontestuar skualifikimin nga tenderi për ndërtimin e nënkalimit te Sheshi Shqiponja, ndërsa dy ditë më parë një ankesë të njëjtë ka bërë edhe firma ALB-BUILDING, e cila rezulton të ketë patur ofertën më të ulët në garë. Edhe kjo shoqëri është skualifikuar për mosplotësim të kritereve të tenderit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituese në këtë procedurë kompaninë Vëllezërit Hysa, e cila renditej e treta sa i përket ofertës më të ulët për të kryer punimet, por ankesat e bëra nga dy shoqëritë e tjera kanë detyruar autoritetet që të pezullojnë procedurën.
Gjithsej në garë kanë marrë pjesë 8 kompani, ku ALB-BUILDING ofroi të ndërtojë nënkalimin për 1.72 miliardë lekë, Salillari për 1.77 miliardë dhe Vëllezërit Hysa për 1.78 miliardë lekë. Ofertat e 5 firmave të tjera, 2T, Gjoka, Curri, Vega dhe Gener 2, variojnë nga 1.84 miliardë deri në 2.2 miliardë lekë, aq sa ishte dhe fondi limit i tenderit.
Kjo ishte gara e tretë që Autoriteti Rrugor zhvilloi për ndërtimin këtij loti, pasi qeveria ndryshoi edhe projektin e rrugës nga mbikalim në nënkalim. Herën e parë tenderi u anulua pasi u zbulua se firma fituese DH Albania, kishte falsifikuar dokumentet, herën e dytë tenderi u anulua pasi asnjë prej kompanive nuk arriti të përmbushte kriteret, ndërsa tashmë duhet të pritet vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik që do të përcaktojë fatin e ndërtimit të nënkalimit.
Dy lotët e tjera janë të fituara nga kompanitë Salillari dhe Viktoria Invest, ndërsa shoqëria Vëllezërit Hysa është nën hetim nga prokuroria pasi dyshohet se është përdorur për koperturë në dhënien e ofertave për dy lotët e para. Kompania “Vëllezërit Hysa” rezulton gjithashtu edhe si nënkontraktore për zhvillimin e punimeve në dy pjesët e tjera të Unazës së Madhe.
Tv Klan