“Unaza e Re”, Veliaj: 7 familjet e para morën bonusin e qirasë
Pas protestës së dhunshme përpara Parlamentit, në zyrat e Bashkisë së Tiranës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar janë paraqitur të tjera familje për të aplikuar mbi përfitimin e bonusit të qirasë për tre vite apo shpronësimin e pronës.
“Shtatë familjet e para i falenderoj për besimin që i kanë dhënë Bashkisë së Tiranës. Gjysma e familjeve do të trajtohen nga ARRSH-ja me pagesën ‘cash’ për çfarë vlen prona e tyre dhe gjysma tjetër nga Bashkia e Tiranës, si këta shtatë të parët. Të hënën përgatitemi të presim pjesën tjetër dhe t’u japim një ofertë, ose pagesën, ose një shtëpi sociale”,
tha kryebashkiaku Erion Veliaj.
Ai shprehu bindjen se minoranca e zhurmshme nuk do të pengojë shumicën, e cila dëshiron zhvillimin e qytetit. “
Shumica e popullit mund të jetë e heshtur, mund të mos jetë një minorancë e zhurmshme, por kori i njerëzve që duan që vendi të eci përpara, që të zhvillohet, është i madh. Ne mund të fitojmë pa asnjë kapsollë, Partia Socialiste mund të fitojë vetëm duke qenë një parti që punon, duke respektuar kundërshtarin, duke u sjellë me etikë, duke i thënë komunitetit alternativa, duke i bashkuar dhe jo duke i përçarë njerëzit. Forca më e madhe që është investuar në bashki, që është investuar në paqtimin e popullsisë, që është investuar tek puna dhe rezultatet konkrete, është kjo ku jemi sot, familja jonë, Partia Socialiste e Shqipërisë”
, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi gjithashtu se sikurse është vepruar edhe në projekte të tjera të ngjashme, edhe për rastin e banorëve të Unazës së Re, do të ofrohet një paketë sociale.
“Partia Socialiste është e vetmja që ndërhyrje të tilla i bën me një paketë sociale. Në rastin e Unazës së Re është shumë inkurajuese që banorët e vërtetë, jo mitingashët, jo ata që vijnë me autobusë nga Kamza për lodrat dhe për teatrin nga Mamurrasi, pra është një lajm i shkëlqyer që ata që kanë letrat e pronës po shkojnë te ARRSH për të marrë kompensimin. Kjo është e vetmja forcë në qeveri edhe në bashki që ka një ofertë sociale”
, u shpreh Veliaj.
Këto deklarata, kryetari i Bashkisë së Tiranës i bëri në aktivitetin e Forumit Rinor Euro Socialiste të Tiranës, ku kandidatët prezantuan platformat e tyre për zgjedhjet që do të mbahen më 8 Dhjetor.
/tvklan.al