Ura e vjetër e Milotit kërcënohet nga shembja (23 Mars 1999)
Ura e vjetër e Milotit kërcënohet nga shembja. Është një nga objektet e rralla të këtij lloji në këtë zonë e ndërtuar qysh prej vitit 1929. Kjo urë është shpallur si një ndër momumentet e kulturës së kësaj zone dhe si e tillë është nxjerrë urdhëresa për mosqarkullimin përmes saj të mjeteve të tonazhit të lartë.
Por në hyrje të kësaj ure janë ndryshkur tabelat këshilluese për drejtuesit e automjeteve të rënda. Kolonatat dhe harqet e bordurës janë tretur nga erozioni dhe nga gërryerjet dhe lëvizjet pa kriter mbi të. Specialistët thonë se nëse do vazhdojë ky trafik i rënduar dhe pa kriter, shembja e këtij monumenti do të jetë e pashmangshme.
Kjo pakujdesi po zgjat që prej 9 vjetësh, ndërkohë që asnjë prej organeve shtetërore s’po kujtohet të ndërhyjë sado pak.Rasti i urës së vjetër të Milotit nuk është i vetëm. Ndodh dendur që në vendin tonë monumenteve të braktisura t’u ngelet vetëm pamja e rrënimit dhe vjetërsirave./tvklan.al