Ura që rrezikon çdo ditë njerëzit, struktura është ndarë në mes
Ura e Tapizës është në gjendje të degraduar. Në mes të gjatësisë së saj është krijuar një e çarë e madhe për shkak të trarëve betonar, me të cilët nga qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë lëkunden në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri duke krijuar çarje të strukturës sipërfaqësore. Ndërkohë që një tjetër problem shumë i madh është dhe gërryerja e këmbëve të saj nga shfrytëzimi pa kriter i lumit Tërkuzë.
“Ka kaluar një muaj nga vlerësimi i Autoritetit Rrugor si një urë me probleme të mëdha. Por siç duket edhe nga pamjet, gjendja e urës së Tapizës është degraduar. Asnjë ndërhyrje veç tabelës për distancën e mjeteve, tabelë e cila nuk respektohet”.
Pikërisht sot, ekspertët e Drejtorisë Rajonale të Autoritetit Rrugor Tiranë, kanë nisur matjet e nevojshme për të parë mundësitë se si do veprohet. Por sipas tyre, për shkak të degradimit dhe uljes së rezistencës së kësaj strukture, investimi për rritjen e qëndrueshmërisë së urës nuk është zgjidhje. Por duhet një projekt i ri, për ndërtimin e një ure totalisht të re.
Problem në këtë aks është devijimi i trafikut. Ndaj ekspertët e ARSH kanë sqaruar se ndoshta ura e Tapizës do të vijojë të jetë e hapur për qarkullimin e makinave ndërkohë që po punohet për urën e re.
Gjithsesi ende nuk ka asnjë informacion zyrtar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar apo Ministria e Infrastrukturës për këtë urë. Pas tragjedisë së urës së Xhenovas, Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri publike se ka nisur identifikimi i veprave të artit me probleme, dhe shpalli 8 ura që kanë nevojë për ndërhyre emergjente. Në Shqipëri janë afro 1200 ura në të gjithë vendin.
Klan Plus