Kufizohet qarkullimi i kamionëve në fundjavë
Qarkullimi i mjeteve të rënda gjatë sezonit të verës do të bllokohet nga e premtja deri të dielën.
Dy ministrat Damian Gjiknuri dhe Fatmir Xhafaj, kanë firmosur një udhëzim të përbashkët i cili ndalon mjetet e tonazhit të rëndë që të qarkullojnë në disa akse kombëtare përgjatë zonave bregdetare, ose në rrugë të cilat të çojnë në destinacionet turistike.
Qëllimi është shmangia e trafikut në ditët kur fluksi i vizitorëve në zonat turistike është i lartë.
Këto rregulla do të jenë në fuqi për 3 muaj, nga 15 Qershori deri në 15 Shtator.
Rrugët që të lidhin me plazhin e Velipojës, Shëngjinin, Durrësin, Gjirin e Lalzit, Pogradecin, Kavajën, Lushnjën, plazhet e qarkut të Vlorës, Qafë Botën në Sarandë, dhe Gjirokastrën nuk do të jenë të aksesueshme.
Ditën e premte në këto segmente nuk do të lejohet kalimi nga ora 15 deri në orën 22.00, të shtunën do të jenë të kalueshme vetëm 4 orë në mesditë, ndërsa të dielën bllokimi do të bëhet gjatë gjithë ditës.
Kufizimi do të jetë për kamionët e gjatë, autoshkollat dhe kursantët dhe mjetet e transportit me peshë mbi 7.5 ton.
Tv Klan