Ushtarët amerikanë trajnim ushtarëve shqiptarë – (18 Maj 2000)
Arkiva Lajme – Tv Klan 2000
Ushtarët amerikan dhe shqiptar kanë zhviluar sot në regjimentin e mbrojtjes civile të ushtrisë shqiptare në periferi të Tiranës, një orë njohje mbi operacionet e përbashkëta dhe procedurat e planifikimit gjatë fatkeqësive natyrore ose njerëzore. Ekipi amerikan që bën pjesë në komandën e operacioneve speciale për Europën Juglindore, kishte stimuluar një operacion imagjinar për të familjarizuar ushtrinë shqiptare, me ngritjen dhe veprimet e një qendre operative emergjencas civile.
Qendra të tilla ngrihen për të kryer koordinimin mes operacioneve të ushtrisë dhe OJQ-ve që veprojnë në terren dhe ngarkohen me procedurat e planifikimit dhe bashkërendimin e veprimeve gjatë një fatkeqësie natyrore ose njerëzore, deklaroi komandanti i mbrojtjes civile shqiptare Bashkim Shehu.
Nënkoloneli amerikan Zhozef Cellar për Europën Juglindore, tha se një nga detyrat e regjimentit të mbrojtjes civile është puna në rastet e këtyre fatkeqësive. Një nga mangësitë që kanë vënë re ekspertët amerikanë ishte mungesa e bashkëpunimit të forcave shqiptare me OJQ-të ndërkombëtare.
Në SHBA ka një përvojë shumë të mirë të bashkëpunimit midis këtyre reparteve që koordinojnë punën me OJQ ndërkombëtare, të cilat sigurojnë burimet financiare deklaroi nënkoloneli amerikan Zhozef Cellar./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame