Ushtria irakiane sulmon ISIS
Forcat ushtarake irakiane kanë rritur presionin mbi Shtetin Islamik, duke ndërmarrë të hënën një operacion të gjerë ushtarak në qytetin e Falluxhas, një nga bastionet kryesore të ISIS në Irak dhe qyteti i parë që ISIS pushtoi në vitin 2014.
Sipas Agjencisë së Lajmeve AFP, e cila citon burime vendase, ushtria irakiane ka arritur të hyjë në qytet. Operacioni ushtarak për rimarrjen e qytetit qëndror, rreth 60 kilometra nga kryeqyteti Bagdad, kishte nisur që javën e kaluar, por nuk kishte përfunduar me sukses. Rreth 50 mijë civilë dyshohet se gjenden brenda në qytet ndërsa qindra të tjerë janë larguar pas paralajmërimeve të autoriteteve.
Siç raportojnë mediat e huaja, janë shënuar dhjetra viktima nga vala e bombardimeve në Falluxha. Ndërkohë forcat peshmerga kurde kanë nisur një operacion tjetër kundër ISIS në Mosul, një tjetër qytet bastion i militantëve terroristë.
Tv Klan