Ushtria në trafik droge, Basha: Qeveria po fshihet


Ushtria në trafik droge, Basha: Qeveria po fshihet

15:56 18/04/2014

basha per drogenPozita e Kryeministrit dhe Ministres së Mbrojtjes është përkeqësuar edhe më shumë para shqiptarëve, teksa deputeti socialist, Erjon Braçe, pranoi se mazhoranca ka informacion për përdorimin e mundshëm të infrastrukturës ushtarake në trafikun e drogës. Ndaj Kryetari i Opozites, Lulzim Basha i kërkon qeverisë të tregojë se çfarë masash ka marrë pasi është njohur me këtë fakt.

Lulzim Basha: “Qeveria, kryeministri Rama dhe Ministrja Kodheli, kanë informacion. Pse e fshehin atë? Pse nuk japin llogari para publikut, para Kuvendit? Pse i tremben transparencës? Kjo e rëndon edhe më shumë pozitën e tyre dhe ngre dyshime të tjera, dhe pyetje të tjera.

Çfarë ka bërë Edi Rama dhe Ministrja Kodheli në momentin që janë informuar se bazat e ushtrisë mund të jenë përdorur në trafikun e drogës? Çfarë qëndrimesh kanë mbajtur? Çfarë masash kanë marrë?

Kjo është një çështje e rëndësisë kapitale dhe nuk lë vend për shaka e lojëra kukafshehti. Kjo çështje vë në provë shtetin, republikën tonë, anëtare në NATO.”

Basha bëri me dije se pas daljes në dritë të faktit se mazhoranca ka informacion, opozita ka kërkuar sërish paraqitjen e ministres Kodheli në komisionin e sigurisë.

Lulzim Basha: “Partia Demokratike dhe mbarë shqiptarët janë thellësisht të shqetësuar dhe shumë seriozë për këtë pikë. Ndaj kam udhëzuar deputetët tanë të kërkojnë sërish që Ministrja e Mbrojtjes të paraqitet në Komisionin e Sigurisë dhe të dëshmojë se çfarë di ajo rreth informacioneve mbi përdorimin e mundshëm të infrastrukturës së forcave të armatosura nga narkotrafikantët, dhe çfarë masash ka marrë. Gjithashtu i bëj thirrje kryeministrit të dalë sa më shpejt para opinionit publik dhe të sqarojë këtë çështje. Për nga rëndësia, këto pyetje dhe këto informacione që ata tashmë dihet botërisht se i kanë, ia kalojnë rutinës së përditshme dhe pa bereqet të ekzekutivit, dhe janë prioritet jo vetëm i politikës edhe i interesit publik.”

I pyetur nëse Partia Demokratike do t’i bëjë publike faktet për të cilat flet Basha tha se kjo çështje u përket organeve të drejtësisë.

Lulzim Basha: “Partia Demokratike nuk bën prokurorin. Vendi ka prokuror, vendi ka gjyqtar, ka një kuadër ligjor për përgjegjësitë penale. Partia Demokratike kërkon përgjegjësinë politike të Kryeministrit dhe Ministres së Mbrojtjes për këtë çështje.”

Kryeministri Rama tha një ditë më parë në parlament se avionët dhe helikopterët për të cilët flet opozita ishin mushkonja që s’ishin gjurmuar gjatë 8 viteve të qeverisë Berisha. Basha i dha sot këtë përgjigje:

Lulzim Basha: “Kujt i djeg miza, nuk i bëjnë derman as mushkonjat.”

Tv Klan






Të ngjashme