Uzina Dinamo, kërkesat e punëtorëve – (9 Dhjetor 1999)


Uzina Dinamo, kërkesat e punëtorëve – (9 Dhjetor 1999)

15:08 09/12/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Është kjo Uzina Dinamo e kryeqytetit shqiptar. Që nga viti 1962 kjo uzinë punon me kapacitet të plotë. Madje punëtorët e saj nuk e kanë lënë punën as në ngjarjet e trazuara të 97. Ndër punimet e shumta të saj punëtorët përmendin prodhimet e eksportuara në Gjermani, Austri, Itali si dhe rrethime të shumë ambienteve të rëndësishme në kryeqytet.

Por privatizimi i kësaj uzine nga shteti ka sjellë probleme për vetë punëtorët e saj të cilët thonë se i janë drejtuar Kryeministrit dhe Ministrit përkatës. Për këtë flet Kryetari i Sindikatës Pëllumb Lani.

Pëllumb Lani, Kryetari i Sindikatës:- “Shteti neve na i ka nxjerrë ndërmarrjen si ndërmarrje jo rentabël. E dyta është që ndërmarrjen tonë nuk e ka dhënë me çmim fillestar, e treta është që neve si punonjës këtu nuk na kanë lajmëruar që edhe neve të përfitojm diçka, nëpërmjet daljes së ankandit, ligjit të privatizimit. Ne jemi dakort të privatizohet uzina po jo të kaloj në favor të dikujt tjetër”.

Punëtorët s’janë dakort me këtë lloj privatizimi ku 51 përqind të aksioneve i takojnë pronarit dhe 49 përqind shtetit. Punëtorët e uzinës Dinamo shkojnë me tej, duke parë si jo normale dhe shitjen e uzinës e cila sipas tyre ka 15 mijë metra katrorë me vlerë fillestare të makinerive në 1 miliard e 400 milionë lekë të vjetra dhe i është shitur pronarit për 390 milionë lekë të vjetra.

Megjithatë ende puna vazhdon në ambjentet e kësaj uzine, por në qoftë se kërkesat e punëtorëve nuk përfillen ata thonë se do vazhdojnë me greva./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori






Të ngjashme