Vajza e vogël e Barack Obamës punon kamariere
Nuk ndodh shpesh që vajza e një pushtetari të punojë në ambiente si restorante apo punë të ngjashme. Por në SHBA situata është shumë ndryshe. Sasha Obama, vajza e vogël e Presidentit amerikan, Barack Obama, ka lënë rehatinë e Shtëpisë së Bardhë, për t'u punësuar në një restorant me ushqime deti.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat amerikane, që shkruajnë se 15 - vjeçarja ka pranuar një punë verore për të shërbyer ushqim në një restorant në Masaçusets. Sasha, e cila ka përdorur emrin e saj të plotë, Natasha, është shoqëruar për në vendin e punës nga një kontigjent prej 6 agjentësh të shërbimit sekret, raporton gazeta "Boston Herald". Disa fotografi tregojnë vajzën e presidentit që mban të veshur uniformën e restorantit me ngjyrë blu dhe një kapele ndërsa punon deri në mbylljen e turnit. Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë komente rreth kësaj ngjarje, por Zonja e Parë, Michel Obama ka thënë se po përpiqet që vajzat e saj të bëjnë një jetë sa më normale si moshataret e tyre. Tv Klan