Vajzat kampione të apasionuara pas futbollit
Në programin “Rudina”, pasditen e sotme kanë qenë të ftuara 11 vajza të apasionuara pas futbollit, së bashku me mësuesin dhe trajnerin e tyre Ardit Mani. Ato janë nxënëse të shkollës “Ali Laçej” në Shkodër dhe së fundmi, kanë fituar kupën “Cappy Cup” të organizuar nga Federata Kombëtare e futbollit.
“Ende është ai mentaliteti që jo futbolli, jo vajzat, por ka filluar të bëhet si modë pjesa e futbollit”, shprehet trajneri i tyre Ardit Mani.
Federata Shqiptare e Futbollit, prej 6 vitesh zhvillon kampionatin “Cappy Cup”, ku vetëm këtë vit ekipet e shkollave 9-vjeçare të futbollit të vajzave morën pjesë në rang kombëtar.
“Ky zhvillim i sportit, sidomos i aktiviteteve me shtysën që i ka dhënë Federata Shqiptare e Futbollit, ekipet e vajzave në Shkodër kanë filluar të japin një trysni tjetër, në sportin e futbollit për vajza”.
Vajzat e shkollës “Ali Laçej” luajtën finalen e madhe të këtij turneu kombëtar ku morën pjesë 2000 djem dhe vajza nga e gjithë Shqipëria për afro 2 muaj. Finalja midis shkollës “Ali Laçej” Shkodër dhe “Andon Xoxa” Fier ishte 2-1./tvklan.al