Kushtetuesja, KED i dërgon Presidentit emrin e Sonila Bejtjes


Kushtetuesja, KED i dërgon Presidentit emrin e Sonila Bejtjes

16:29 28/12/2020

Nëse miratohet, bëhet anëtari i 7-të i gjykatës

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar Presidentit të Republikës Ilir Meta emrin e Sonila Bejtjes si anëtare e 7-të e Gjykatës Kushtetuese. Paraditen e së hënës, ajo i është nënshtruar intervistimit, por për shkak se garonte e vetme emri i saj i është përcjellë presidentit.

Përveç emrit të Sonila Bejtjas për vakancën e lënë bosh nga gjyqtari Besnik Muçi, që nuk e kaloi dot vetingun, garonin Altin Binaj dhe Zhaklina Peto.  

Binaj u emërua pak ditë më parë si anëtar i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, pasi garonte për një tjetër vakancë, ndërsa Peto u largua nga gara edhe pse vazhdon ende betejën institucionale me KED.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese është me 6 anëtarë pasi në detyrë deri në ardhjen e zëvendësuesit qëndron Vitore Tusha, e cila vjen nga radhët e gjyqtarëve që propozon Gjykata e Lartë. Tashmë mbetet që Gjykata Kushtetuese të plotësohet me 3 vakancat e Gjykatës së Lartë për të arritur numrin prej 9 anëtarësh.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pritet të shqyrtojnë të paktën 140 dosje të mbetura pezull në këto 3 vite, mes të cilave edhe ajo e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, si dhe shembja e Teatrit Kombëtar.

Tv Klan






Të ngjashme