Vaksina anti-Covid: Qytetarët shprehin rezerva
Nëntori me rekorde infektimesh e viktimash
Paqartësi, frikë, pasiguri apo një akt i pashmangshëm. Këto janë mendimet e qytetarëve lidhur me vaksinën kundër Covid-19, për të cilën autoritetet kanë paralajmëruar se në vendin tonë do të arrijë në fillim të vitit të ardhshëm. Teoritë e konspiracionit që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale, kanë bërë që të rriten dyshimet për vaksinën anti-Covid.
“Kjo vaksinë nuk është e sigurtë, nuk e dimë se çfarë është, të japin vaksinë edhe hajt… ma mirë vdes vet unë, vaksinë nuk marr.”
“Jo vallahi nuk e marr, kam bërë më shumë se 70 vjet, çfarë më?”
“Unë kam frikë të marr vaksinë ”
Të tjerët thonë se nuk do të donin të jenë ndër të parët që do të vaksinohen dhe se do të presin të shohin se çfarë do të ndodh. Nënvizojnë se nëse nuk do të ishte kusht nuk do ta merrnin, ndërsa potencojnë se frika është gjithmonë prezente.
“S’mund unë ta parashikoj a do të merret apo jo, sa po flitet, kështu populli që flet, sa është mirë mund të jetë edhe keq në të ardhmen.. Tani momentalisht nuk mund ta them, ta shohim si do të shkojë ajo, kush do të merr, si do të merr, jo vetëm populli, por kur të marrin të gjithë, ndoshta edhe duhet të marrim, të na jep kusht që patjetër të marrim. Si të jetë mirë, secili e merr, por po ka frikë populli”.
“Njëherë jo, ta shohim.”
Nga ana tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në një prononcim për media maqedonase, është zotuar se publikisht do ta marrë vaksinën anti-Covid.
“Të tregoj dhe të dëshmoj se duhet të vaksinohen qytetarët. Vaksinat janë të sigurta, ne kemi ndjekur zhvillimin e tyre dhe të gjitha fazat e studimeve klinike dhe kjo do të jetë ajo që do ta ndryshojë pasqyrën në botë”
Në të njëjtën vijë me Ministrin janë edhe disa qytetarë.
“Do ta marr pse jo, të gjithë do ta marrin.”
“Më mirë duhet të merret, më mirë se ekonomia ra më tërësisht, u shkatërruan të gjithë dyqanxhinjtë në çarshi, duhet të merren vaksinat, më mirë…”
Ndërkohë, shifrat me Covid-19 në botë, por edhe në vendin tonë assesi të ulen. Vetëm gjatë Nëntorit në Maqedoninë e Veriut janë infektuar mbi 30 mijë qytetarë, që është shifër e njëjtë infektimesh me shtatë muajt paraprake. Gjatë muajit të kaluar janë shënuar 769 viktima, që paraqet gjysmën e numrit të përgjithshëm të pacientëve që kanë humbur betejën me Covid-19.
Tv Klan