Vaksina e Oksfordit rezulton 70% efektive
Avantazhi i saj, çmimi dhe lehtësitë nw transport
Ndryshe nga pritshmëritë, vaksina e Oksfordit është më pak efektive se dy të tjerat e zhvilluara në Shtetet e Bashkuara. Rezultatet treguan efektivitet deri 70%, por kjo vaksinë ka avantazh të madh në çmim dhe në kosto ruajtjeje.
Vaksina kundër koronavirusit e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit mbron nga infektimi 70% të personave që mund të preken nga COVID-19. Bëhet fjalë për rezultatin e të dhënave zyrtare të vaksinës që po zhvillohet në bashkëpunim me firmën farmaceutike britanike Astra Zeneca.
Pak ditë më parë, mediat britanike iu referuan disa të dhënave paraprake të dala nga testet e fazës së dytë, ku thuhej se vaksina mbronte deri në 99% të të vaksinuarve. Por të dhënat e publikuara së fundi tregojnë se kjo përqindje i përket kategorisë së personave mbi 60-vjeç.
Niveli i mbrojtjes 70% është i ulët krahasuar me vaksinat e firmave amerikane Pfizer dhe Moderna që krijojnë mbrojtje deri 95% dhe presin vetëm miratimin për prodhim të Administratës për Ilaçet dhe Ushqimin në SHBA. Megjithatë vaksina e Oksfordit ka disa avantazhe. Niveli i mbrojtjes së kësaj vaksine mund të arrijë deri në 90%, nëse aplikohen dy dozat për personat ku efekti i vetëm një doze është i pamjaftueshëm.
Avantazh i vaksinës së Oksfordit është se mund të transportohet në temperatura jo shumë të ulta, në dallim nga ajo e Pfizer që kërkon ftohje deri minus 70 gradë Celsius. Çmimi për dozë arrin deri 3.5 Euro, 5 deri 8 herë më i ulët se i dy vaksinave të tjera. Qeveria britanike ka porositur deri më tani 100 milionë doza të vaksinës së Oksfordit. Prodhimi masiv pritet të nisë vitin e ardhshëm.
Tv Klan