Vaksina, Pipero: 100% mbrojtje nuk ka, por 96% është tepër e madhe


Vaksina, Pipero: 100% mbrojtje nuk ka, por 96% është tepër e madhe

22:41 08/09/2021

Tema e mbrëmjes në emisionin “Opinion” në Tv Klan është e lidhur me vaksinimin, a duhet të jetë i detyrueshëm apo jo. Argumentet kryesore vërtiten rreth sigurisë së vaksinës dhe efektivitetit të saj. E ndërsa debati nxehet, doktori i njohur, Pëllumb Pipero konfirmon se vaksina nuk ofron mbrojtje 100%, por të paktën shkon deri në 96%.

Të gjithë e dimë që vaksina me mbrojtje 100% nuk ka. Kur themi që Pfizer mbron 96% apo AstraZeneca 76 apo Moderna 98, janë dy shpjegime. Një shpjegim që bazohet në fakte dhe thotë që vaksina në 100 persona mbron 96 dhe tjetra që i mbron të 100, por 96%. Aplikimi i vaksinës ka të bëjë me pergjigjen individuale, jo të gjithë reagojnë duke formuar imunitet. Ka gjithmonë një xhep, ngelet një boshllëk ku 2,3 apo 4% mund të ngelen pa fituar imunitet. E njëjta ndodh me personat që sëmuren me shenja të lehta, kronike, të mesme apo të rënda, jo të gjithë kanë antitrupa pasi kalojnë sëmundjen. 98% e tyre kanë, por ndodh që një përqindje e vogël nuk ka sepse është përgjigje tërësisht individuale. Kjo koincidon edhe me rastet e shtruar në spital, të vaksinuar apo të pavaksinuar. Diku te 96-97% të rasteve të shtruara në spital janë të pavaksinuar. Përgjithësisht janë forma të mesme të sëmundjes dhe kjo varet nga shumë faktorë të tjerë, varet nga mosha, varet nga sëmundjet bashkëshoqëruese etj. Dua të them, që ky është një tregues real i asaj që shkenca thotë. Në fund të fundit, mbrojtje 100% nuk ka, por 96% është mbrojtje jashtëzakonisht e madhe dhe mbi të gjitha, po të shohësh aty (në grafik) nga 68 të shtruar, 3 janë të vaksinuar. Mundësia për të bërë sëmundje apo forma të rënduara të saj te të vaksinuarit është ku e ku më e vogël“, tha Pipero./tvklan.al






Të ngjashme