Vaksinimi, a duhet ta kryejnë ata që kanë kaluar Covid?
Ekspertët: Krijon imunitet më të gjatë se ai i infektimit
E ndërsa Britania ka nisur vaksinim për Covid për popullatën, ende nuk dihet se si do veprohet me ata që kanë kaluar Covid. Epidemiologia Erta Cenko, mjeke në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thotë se vaksina nuk do të jetë e detyruar, por ajo krijon mbrojtje më të gjatë se imuniteti i krijuar nga infektimi.
“Deri tani dihet që imuniteti natyral nga Covid mund të zgjasë deri në 3 muaj dhe nuk dihet më tepër dhe nevojiten më tepër studime për të parë se sa zgjat imuniteti natyral. Me atë që dihet deri tani të gjithë personat duhet të vaksinohen, por edhe ata që kanë qenë më pak të infektuar me Covid mund të përfitojnë nga një vaksinë e cila deri më tani ka treguar që shkakton imunitet që zgjat shumë më tepër se ai natyral”.
Përsa i përket vaksinë, mjekja Erta Cenko thotë se në Shtetet e Bashkuara do të nisë brenda Dhjetorit dhe në fillim të vitit 2021 do të shtrihet për të gjithë popullatën.
“Mendohet që rreth fundit të Dhjetorit të filloj vaksinimi për grupmoshat më të vjetra, gjithashtu atyre me sëmundje kronike dhe më pas në fillimin e vitit tjetër fillojnë të vaksinohen më tepër njerëz. Rreth Qershorit të vitit të ardhshëm do të ketë vaksina mjaftueshëm për gjithë amerikanët”.
Ekspertët ende mbeten të dyzuar nëse një person që ka kaluar Covid duhet të kryej vaksinën apo jo. Shumica thonë se mbrojtja e siguruar nga infektimi është afatgjatë. Gjithsesi ekspertët ende nuk kanë dalë me një vendim përfundimtar.
Tv Klan