Britania e Madhe nis vaksinimin anti-Covid


Britania e Madhe nis vaksinimin anti-Covid

09:40 08/12/2020

Vaksinohet e para një gjyshe 90-vjeçare

Kjo gjyshe nga Britania e Madhe është e para në botë, të cilës i është injektuar një vaksinë e certifikuar kundër Covid-19. Margret Kinan nga Koventri i Anglisë mbush javës tjetër 91-vjeç dhe ishte e para në listën e vaksinimit anti-Covid me dozat e para të vaksinës Pfajcer/Bajontek.

“Shpresoj që të nxis të tjerët ta bëjnë këtë vaksinë siç e bëra unë. Duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën për ta hequr qafe këtë virus të tmerrshëm”.

Kinan është përfituesja e parë nga procesi i vaksinimit të kategorisë më të rrezikuar nga Covid-19, ku bëjnë pjesë të moshuarit mbi 80 vjeç dhe pjesëtarët e stafit të spitaleve. Pritet që vaksinën ta bëjë gjatë këtyre ditëve edhe mbretëresha Elizabet, e cila është 94-vjeç. Por ajo ka thënë se nuk do të shfrytëzojë privilegjet për të kapërcyer radhën.

Të dielën, në Britaninë e Madhe përfundoi furnizimi me 800 mijë dozat e para të kësaj vaksine. Qeveria ka porositur deri më tani vaksina të mjaftueshme për vaksinimin e 20 milionë banorëve me nga dy doza. Rusia e nisi që në fundjavë injektimin për kategoritë e rrezikuara, por me një vaksinë të pacertifikuar nga OBSH.

Vaksinimi masiv pritet të përfundojë deri vjeshtën e vitit të ardhshëm me shpresën për ndalimin një herë e mirë të përhapjes së Covid-19 që për gati 1 vit i ka marrë jetën mbi 1.5 milionë njerëzve në gjithë botën dhe ka gjunjëzuar ekonominë globale.

Tv Klan






Të ngjashme