Vakumi ligjor për Këshillin e Emërimeve, Presidenti thërret politikën në konsultime
Ende pa hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese të 21 Korrikut, Presidenti i Republikës bën publik vakumin e parë ligjor për zbatimin e Kushtetutës së re.
Ndoshta nga turravrapi për të gjetur konsensusin dhe kompromisin, në ndryshimet që iu bënë Kushtetutës, ka një ngërç në nenin që parashikohen afatet kushtetuese, që duhen respektuar për ngritjen e Këshillit të Lartë të Emërimeve.
Presidenti i Republikës ka dalë në një konferencë për shtyp, pikërisht për të bërë publik këtë fakt, që i krijon atij probleme në zbatimin kushtetues si intitucioni përkatës, që ka të drejtën për hedhjen e shortit, për kandidatët që do të përbëjnë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Ligji, të cilit Presidenti duhet t’i referohet për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërime në Drejtësi është ende në formën e një projektligji, pjesë e 7 ligjeve që presin miratimin e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe më pas parlamentit.
Për të tejkaluar këtë vakum, Presidenti ka nisur komunikimin me Kuvendin dhe do të konsultohet me ekspertët të fushës, ndërsa të martën ka thirrur për një proces konsultimesh dhe me përfaqësuesit e grupeve parlamentare.
Presidenti thotë se në mirekuptim me forcat politike, kjo situatë mund të tejkalohet dhe nuk krijohet asnjë ngërç kushtetues.
Në daljen e tij përpara mediave, kreu i shtetit, sqaroi edhe njëherë se ndryshe nga sa pretendon Partia Socialiste, ai është në përmbushtje të plotë të Kushtetutës, kur ka dekretuar datën e zgjedhjeve të reja lokale në Bashkinë e Dibrës.
Tv Klan