Vala e dytë trondit botën
Mbi 50 milionë të prekur. Europa vazhdon të shtojë kufizimet
Muaji që lamë pas rezulton si më i keqi teksa shtimi i rasteve dhe vdekjet nga Covid-19 arritën rekorde globale duke detyruar një pjesë të madhe të vendeve që të rikthenin karantinën.
Totali i rasteve të konfirmuara me koronavirus është rritur në mbi 50 milionë. Sipas universitetit Johns Hopkins më shumë se 1.25 milionë njerëz kanë vdekur që kur pandemia u përhap.
Por numrat mendohet të jenë më të lartë për shkak të testimit të pamjaftueshëm në shumë vende. Vala e dytë e Covid-19 sipas ekspertëve tanimë ka përfshirë ¼ e vende në botë.
Evropa ka regjistruar deri më tani më shumë se 12.5 milionë raste te prekurish dhe 305,700 vdekje. Pika më e nxehtë mbetet Franca. Edhe pse në karantinë kombëtare rastet vijojnë që të mbeten në rritje. Pas 4 ditësh ku të infektuarit i kalonin 60 mijë në ditë, në 24 orëshin e fundit janë regjistruar 38 mijë të infektuar të rinj.
Kufizimet do të mbeten deri në datën 1 Dhjetor. Sipas asaj që raporton BBC bllokimi mund të shtyhet edhe me disa javë të tjera. Ndërkaq vdekjet kanë kapur totalin 40 mijë e 4 qind. Po ashtu edhe Portugalia po shqyrton mundësinë që të vendosi një karantinë të pjesshme.
Shifrat e fundit në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se rritja e infeksioneve është duke u stabilizuar por problematike mbetet vdekshmëria e cila është më e larta në Europë. Totali i vdekjeve në Angli ka arritur në 49,044 .
SHBA është bërë vendi i parë që raportoi më shumë se 100,000 raste ditore. Rritja e fundit e SHBA përkoi me muajin e fundit të fushatës zgjedhore në të cilën Donald Trump minimizoi ashpërsinë e pandemisë ndërsa Joe Biden, kërkoi që duhet të veprojnë shkencëtarët. Aktualisht numri i të infektuarve ka arritur në 10.2 milionë, ndërsa ata që kanë humbur jetën kanë kapur një total prej gati 243 mijë.
Klan Plus