Valë arrestimesh në radhët e ish-luftëtarëve të UÇK


Valë arrestimesh në radhët e ish-luftëtarëve të UÇK

20:08 25/09/2020

Në pranga krerët e Shoqatës së Veteranëve të Luftës

Që prej mëngjesit policia  e EULEX-it ka bastisur zyrat e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së. Pas më shumë se dy orësh nga këto zyra, policia e EULEX-it ka nxjerrë në pranga kreun e kësaj organizate, Hysni Gucati. Arrestimi i tij është përcjell me fishkëllima dhe kundërshtime nga disa ish-luftëtarë të UÇK-së.

Ai është arrestuar me vendim të Gjykatës e cila dyshohet të ketë lidhje me rrjedhjen e dosjeve që dyshohet se ishin të Gjykatës Speciale.

Derisa EULEX-i po vazhdonte bastisjen e zyrave të kësaj organizate, nga Deçani erdhi nënkryetari i Organizatës së Veteranëve Nasim Haradinaj.Tha se nuk shkon në zyrë pasi aty gjendet EULEX-i, ndërsa mohoi të ketë dëgjuar që ka urdhër-arrest për të.

“Unë nuk e njoh këtë gjykatë, ne nuk e njohim këtë gjykatë. EULEX-i sillet me ne kështu sepse nuk na konsideron njerëz, nuk na konsideron të denjë”.

Por ai më pas u arrestua teksa ishte duke hyrë në  një studio televizive ku ishte ftuar si mysafir. Ai nuk ka pranuar të transferohet pa praninë e Policisë së Kosovës.

Gucati e Haradinaj nuk janë intervistuar asnjëherë nga Gjykata Speciale as në cilësinë e dëshmitarëve e as të të dyshuarve për krime lufte.

Kohët e fundit në zyra të OVL të UÇK-së nga një person misterioz janë dërguar dosje për të cilat kjo organizatë pretendonte se janë të Gjykatës Speciale.

Madje krerët e organizatës nëpërmjet konferencave për media kanë dhënë detaje të këtyre dosjeve, ndërsa kopjet e tyre thonin se ua kanë dorëzuar disa mediave.

Ndërsa dosjet origjinale ua kanë dorëzuar hetuesve të Gjykatës Speciale të cilët ditëve të fundit kanë vizituar shpesh këtë organizatë.

Tv Klan






Të ngjashme