Valls përkrah Macron në zgjedhjet legjislative


Valls përkrah Macron në zgjedhjet legjislative

20:30 09/05/2017

Triumfi i Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale, mund të ndryshojë ekuilibrat edhe në parlamentin francez. Me të fituar përballjen me Marine Le Pen, shefi i ri i Elizesë nisi punën për formimin e listës së kandidatëve për deputetë, në prag të zgjedhjeve legjislative të 11 dhe 18 qershorit. Lëvizja politike e Macron është e papërfaqësuar në Asamblenë Kombëtare. Aktualisht shumicën parlamentare e ka Partia Socialiste e presidentit në ikje, Fronsua Holond. Mirëpo kjo forcë politike është në perëndim, siç paralajmëroi edhe ish-kryeministri socialist Manuel Valls.

Manuel Valls (Ish-kryeminister i Frances)

Kjo parti Socialiste ka vdekur, është e shkuara. Jo historia dhe vlerat e saj, po ajo duhet të kthejë faqe. Un shpresoj të regjistrohem në lëvizjen e presidentit Macron.

Këto deklarata të Valls ngjallën reagimin e socialistëve të cilët e quajtën ish-kryeministrin një oportunist që braktis barkën kur është në vështirësi. Vetëm një vit nga krijimi i saj, Lëvizja En Marche! e presidentit të ri ndryshoi emrin duke u quajtur Republique En Marche. Të njëjtën lëvizje pritet ta bëjë edhe liderja e Frontit Nacional, Marine Le Pen, e cila në prag të zgjedhjeve parlamentare pritet të dalë me një logo të re partiake. Le Pen beson se Fronti Nacional lidhet ngushtë me figurën e babait të saj, Jean-Marie Le Pen, me të cilin ajo i ka ndërprerë marrëdhëniet dhe e ka përjashtuar nga partia.

Tv Klan






Të ngjashme