VAR, një sukses në Serie A


VAR, një sukses në Serie A

23:00 02/01/2018

Edhe pse u kritikua nga lojtarët në fushë dhe trajnerët në konferenca shtypi, statistikat tregojnë se Asistenti Video i Arbitrit ka funksionuar në kampionatin italian. Eksperti i VAR, Tizziano Pieri ka deklaruar për agjencinë e lajmeve ANSA që VAR është një revolucion që ka funksionuar në Itali. Edhe pse është sezoni i parë ku është përdorur, arbitrat janë përshtatur më së miri, thotë ai.

Në pjesën e parë të sezonit të Serie A, VAR është përdorur në 45 raste për të korrigjuar vendimet e arbitrave. Janë akorduar 18 penallti dhe 7 të tjera janë anuluar. I nisur si eksperiment, përdorimi i këtij sistemi ka eliminuar protestat në fushë dhe në shkallët e stadiumit, duke korrigjuar gabime të dukshme dhe të padukshme, në 188 ndeshje të luajtura.

Sipas ekspertit, gabime të rënda nga VAR ka patur vetëm në 6 raste.

9 herë janë anuluar gola për pozicion jashtë loje ndërsa offsidet e rishikuara kanë qenë 3. Ndërsa në 10 raste VAR ka shërbyer edhe për të përcaktuar faulet e ndëshkueshme me karton të kuq.

Mbi të gjitha, në pjesën e parë të kampionatit në Itali, askush nuk mund të ankohet pasi rezultatet e ndeshjeve tashmë janë të certifikuara.

Tv Klan






Të ngjashme