Vatikani i zhgënjyer: Shqipëria pa ambasador


Vatikani i zhgënjyer: Shqipëria pa ambasador

19:50 07/09/2016

Sot është 25 – vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Selise së Shenjtë.

Pas dhjetëra viteve vuajtjesh dhe përndjekjesh ndaj klerit katolik, nga sundimi komunist, më 22 Tetor të vitit 1991 u rivendosën marrëdhëniet në rang ambasadori mes Tiranës zyrtare dhe Vatikanit.

Por sot, 25 vjet pas rivënies së marrëdhënieve zyrtare, Selia e Shenjtë, nëpërmjet organit të saj zyrtar, “Radio Vatikanit”, shpreh zhgënjimin që përfaqësimi i Shqipërisë në Vatikan nuk është në nivelin e duhur diplomatik.

“Sot, në 25 vjetorin e marrëdhënieve mes Selisë së Shenjtë Apostolike dhe Republikës së Shqipërisë, Ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit është pa ambasador.”

Kështu shprehet sektori shqip pranë organit zyrtar të Selisë së Shenjtë, “Radio Vatikanit”, në një qëndrim editorial në 25 – vjetorin e marrëdhënieve Vatikan – Shqipëri.

Sipas “Radio Vatikanit”, i fundit ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë është larguar në Nëntor të vitit 2013. Dhe prej gati tre vjetësh, kjo ambasadë drejtohet me të ngarkuar me punë, në disproporcion të plotë me përfaqësimin e Vatikanit në Shqipëri, që ka qenë gjithnjë në rang ambasadori.

Aktualisht, në krye të Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë është Visar Zhiti, në pozicionin e të ngarkuarit me punë. Ky i fundit e mori këtë detyrë pasi nuk u dekretua më herët si ambasador nga Presidenti i Republikës.

Kisha Katolike në Shqipëri e kundërshtoi fort kandidaturën e Zhitit si ambasador i vendit tonë në Vatikan, duke bërë madje një deklaratë të fortë publike kundër tij.

“Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë dëshiron të shprehë zhgënjimin e saj për faktin që për rolin e Ambasadorit të Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, duke mos kontestuar aftësitë e z.Visar Zhiti, nuk u emërua një përfaqësues i komunitetit katolik”

Pas këtij qëndrimi të Kishës Katolike në Shqipëri, edhe Presidenti i Republikës nuk e dekretoi z. Zhiti si ambasador. Por, pavarësisht këtyre, qeveria vendosi ta dërgojë z. Zhiti si të ngarkuar me punë, duke i lënë sot e kësaj dite marrëdhëniet me Vatikanin jo në nivelin e duhur të përfaqësimit.

Tv Klan






Të ngjashme