Vazhdojnë përpjekjet për dialogun pozitë-opozitë – (19 Mars 2001)


Vazhdojnë përpjekjet për dialogun pozitë-opozitë – (19 Mars 2001)

20:52 19/03/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Pozita dhe opozita janë rikthyer në pozicionet e vjetra përsa i përket vazhdimësisë së dialogut për përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare. Socialistët shprehen se dialogu nuk ka dështuar, duke evidentuar rolin e komisionit parlamentar për listat e votuesve.

Arben Malaj:- “Të dy grupimet edhe pozita dhe opozita kanë bërë propozimet e tyre, natyrshme nuk mundet që në një tavolinë të vetme të gjejnë zgjidhje të gjitha propozimet për Aleancën për Shtetin, tryeza vazhdon me angazhimin që propozimet të jenë në përputhje të plotë me Kushtetutën. Nga ana tjetër për problemin më të rëndësishëm që ka atakuar në vijueshmëri opozita, problemet e listave të votimit, përpara se tryeza e partive të marrë vendimet përkatëse, është e domosdoshme që komisioni parlamentar i ngritur nga mazhoranca të funksionojë”.

Presidenti ka ftuar partitë parlamentare për të diskutuar datën e zgjedhjeve. Megjithatë nënkryetarja e parlamentit Jozefina Topalli është pesimiste për plotësimin e kërkesave të opozitës, nga ana e mazhorancës në pushtet.

Jozefina Topalli:- “Në kushtet aktuale, ku asnjë prej kërkesave të opozitës, nuk u mor parasysh realisht, dialogu për zgjidhje është i ngrirë dhe çdo deklaratë për të kundërtën është hipokrizi. Dua të denoncojë pushtetin lokal, në shkatërrimin e regjistrave të gjendjes civile”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme