Vazhdon përplasja Presidencë – Ministri e Jashtme
Përplasja mes Presidencës dhe Ministrisë së Jashtme mbi deklaratën e bërë një ditë më parë nga Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në Komisionin e Jashtëm, ka vijuar edhe këtë të martë.
Ai tha në komisionin e Jashtëm se kishte njoftuar zyrtarisht me një shkresë presidentin e Republikës për votimin e Shqipërisë në asamblenë e Kombeve të Bashkuara për armët bërthamore. Presidenca reagoi duke e quajtur të pavërtetë deklaratën. Por ministri i Jashtëm këmbënguli edhe sot duke mbajtur të njëjtën linjë.
Pas kësaj deklarate, presidenca reagoi duke publikuar protokollin e marrjes në dorëzim të përgjigjes së Ministrisë së Jashtme për kërkesën e presidentit të Republikës. Ky dokument vërteton se përgjigjja zyrtare i është dërguar presidencës paraditen e të martës, pra me 7 shkurt, në orën 10.00.
Shkresa me numër protokolli 1662 është dorëzuar ne gardën e Republikës nga korrieri i ministrisë së jashtme, Julian Janaqi dhe pak minuta më vonë është marrë në dorëzim nga strukturat e protokollit të Institucionit të Presidentit.
Ministria e Jashtme shpërndau një tjetër shkresë, sipas të cilës përgjigjja është firmosur me 3 shkurt. Por siç tregon protokolli i presidencës, ajo është dorëzuar nga Ministria vetëm paraditen e të martës, fakt ky që e nxjerr bllof deklaratën e bërë nga ministri Bushati në komisionin parlamentar të hënën.
Ne reagimin e presidencës thuhet kreu i shtetit shpreh keqardhjen për disinformimet e përsëritura e të pavërteta të Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, duke sqaruar se nëse nuk do të ishte një çështje e rëndësishme e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet partnere në NATO, nuk do t’i kthente përgjigje disinformimit të radhës së Ministrit.
Tv Klan