Vdekja e gruas shtatzënë në maternitet, ja akuza që rëndon mbi mjekët
Vdekja e nënës shtatzënë dhe foshnjes që priste të lindte, në maternitetin “Koço Gliozheni”, ka çuar në arrestimin e dy mjekëve obstetër gjinekolog, Helidon Klosi dhe Dritan Deçka.
Dy mjekët janë ndaluar në orët e vona të së shtunës nën akuzën, mjekim i pakujdeshëm.
35-vjeçarja Aida Çajka ndërroi jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” pas 6 orë sorrollatjesh nga një spital në tjetrin.
Të dhënat e mbledhur nga grupi hetimor faktojnë se nëna shtatzënë është paraqitur të enjten në orën 22:30 në urgjencën e maternitetit “Koço Gliozheni”, në gjendje të rënduar.
Por pavasisht kësaj situate, dy mjekët Klosi dhe Deçka pas konsultimit mes tyre nuk e kanë shtruar 35-vjeçaren, por e kanë nisur në drejtim të Qendrës Spitalore Universitare, e më pas në sanatorium.
Disa orë më pas Aida Çajka është rikthyer në maternitet, por këtë herë shumë vonë, pasi bebja nuk jetonte më dhe ajo do të ndërronte jetë pak minuta më pas.
Këto fakte kanë çuar Prokurorinë që të ngrejë akuza penale ndaj mjekëve të shërbimit në maternitetin “Koço Gliozheni.”
Mjekët u denoncuan nga familjarët e viktimës, të cilët thanë se veç sorollatjeve, e gjetën urgjencën e maternitetit mbyllur, pati vonesë me 2 orë të kirurgut për të bërë ndërhyrjen dhe vonesa te tjera, për shkak të mungesës së një barrele dhe të oksigjenit.
Tv Klan