Vdekja e të riut lezhian, PD: Rama të mos heshtë


Vdekja e të riut lezhian, PD: Rama të mos heshtë

13:52 15/08/2016

Partia Demokratike i bëri thirrje Kryeministrit Rama të kërkojë nga autoritetet greke hetim të plotë dhe vënien përpara drejtësisë të përgjegjësve për vdekjen e 29-vjeçarit Pëllumb Marnikolli.

Opozita thotë se, sipas dyshimeve të ngritura nga familjarët e viktimës, ndaj të riut lezhian është ushtruar dhunë dhe nëse vërtetohet nga ekspertiza mjeko-ligjore keqtrajtimi ndaj 29-vjeçarit nga autoritetet greke, kryeministri nuk duhet të heshtë, pasi ky është një rast i përsëritur i trajtimit çnjerëzor të shqiptarëve në qelitë greke, në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Për vdekjen e Pëllumb Marnikollit reagoi edhe ish-Kryeminitri Berisha. Ai u bën thirrje autoriteteve greke të zbardhin me transparencë të plotë aktin e shëmtuar kriminal shtetëror dhe dënoi njëherazi heshtjen e turpshme  sipas tij, nga ana e autoriteteve shqiptare.

Ka reaguar edhe Ministria e jashtme shqiptare që thotë se po ndjek me vëmendje të veçantë këtë rast. Ajo thotë se ekzistojnë pamjet filmike të ngjarjes, si dhe është urdhëruar kryerja e autopsisë mjeko-ligjore. Ministria nënvizon se ka kërkuar një hetim të plotë dhe transparent për ngjarjen, ndërsa bën thirrje që ajo të mos instrumentalizohet politikisht.

Tv Klan






Të ngjashme