Vdekja tragjike e vogëlushit, nën hetim nëna e tij
Një ngjarje tepër tragjike ka ndodhur në Itali. Një fëmijë vetëm 1 vjeç e gjysmë ka ndërruar jetë, pasi u sulmua nga dy qen argjentinas. Në përpjekje për të shpëtuar fëmijën, ka mbetur e plagosur edhe nëna e tij.
Sipas mediave italiane, kjo tragjedi ka ndodhur në vilën e familjes, në Mascalucia. Fëmija pas sulmit u dërgua me helikopter në spital, por nuk mundi të mbijetojë, pasi kishte gjakderdhje të shumta. Nënkryetari i Mascalucia-s, Fabio Cantarella, urdhëroi konfiskimin e dy qenve. Ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetimin për nënën e 1-vjeçarit, pasi ajo akuzohet për vrasje. Sipas tyre, vogëlushi ishte i vetëm në kohën e sulmit dhe vetëm pasi ka dëgjuar klithmat e një fqinje, nëna ka ndërhyrë për të shpëtuar djalin. Babai i foshnjës, një punëtor 32-vjeçar në kohën e tragjedisë ishte në punë. Çifti ishte transferuar prej disa kohësh në vilën, e cila ndodhet në afërsi të qytetit Nicolosi, së bashku me djalin një vjeç e gjysmë dhe dy qentë e tyre./tvklan.al