Ndërron jetë 79-vjeçari nga COVID-19
11 raste të reja, shkon në 223 numri i të prekurve
Koronavirusi ka shënuar viktimën e 11 në vendin tonë këtë të hënë. 79-vjeçari ishte i shtruar prej 18 ditësh në shërbimin infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe po trajtohej për COVID-19.
“I moshuari ishte përmirësuar ditët e fundit, por ndërroi jetë nga një infarkt kardiak. 79-vjeçari është viktima e 11 e prekur nga COVID-19 në Shqipëri”, tha drejtorja e ISHP-së, Albana Fico.
Rastet me koronavirus po shtohen në të gjithë vendin. Totali i të prekurve ka shkuar në 223 persona.
“Në 24 orët e fundit janë testuar 90 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 11 raste të reja me COVID-19. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Fier, Shkodër, Tropojë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intensitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit”.
Në rritje ka ardhur edhe numri i personave që kanë nevojë për trajtim të specializuar mjekësor.
Në 24 orët e fundit 4 persona kanë lënë Spitalin Infektiv, pasi kanë rezultuar negativë në testin për COVID-19. Ata do të qëndrojnë në vetëizolim për 2 javë dhe më pas konsiderohen të shëruar. Deri më tani 44 persona janë shëruar pas prekjes nga koronavirusi në vendin tonë.
Tv Klan